SHBA/ Publikohet video e arrestimit të njeriut me ngjyrë para vdekjes, shpërthejnë protestat

27 maj 2020 | 23:22

Pamjet tragjike të një burri me ngjyrë i cili humbi jetën pasi një polic i kishte vendosur gjurin në qafë gjatë arrestimit, qarkulluan në rrjetet sociale në Shtetet e Bashkuara, duke rikthyer edhe një herë temën e nxehtë të racizmit në forcat e rendit.

Në video dëgjohet viktima, George Floyd, i cili i thotë disa herë policit që nuk mund të marrë frymë dhe se i dhemb stomaku. Por pavarësisht lutjeve, efektivi nuk e heq gjurin nga qafa e tij. Floyd më vonë u shpall i vdekur në spital. Për ngjarjen, 4 policë u pushuan nga puna, ndërsa FBI ka nisur zyrtarisht hetimet.

Rreth 24 orë nga vdekja e 46-vjeçarit, mijëra protestues u përleshën me forcat e rendit në Mineapolis, qytetin e viktimës. Shumë prej tyre u mblodhën për të protestuar pikërisht në vendin ku ai u arrestua të hënën në mbrëmje. Disa protestues hodhën gurë në drejtim të policëve, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës, por jo me plumba gome, raportoi një ekip i CNN në vendngjarje.

Vdekja e Floyd shkaktoi reagime të shumta edhe të personazheve publike në SHBA. Ai punonte si roje në një lokal në Mineapolis. Pronari i lokalit e përshkroi si një njeri të qetë dhe të këndshëm, që nuk kishte shfaqur agresivitet apo mungesë respekti ndaj askujt.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Valon Berisha, luajti…