SHBA/ Rebelim kundër bllokimit
Guvernatorët demokratë në Minesota, Uashington dhe Nju Jork janë duke i rezistuar kërkesës së presidentit Donald Trump për të lehtësuar masat ndaj koronavirusit dhe fajësojnë kreun e Shtëpisë së Bardhë se po përkrah protestuesit që kanë dalë në rrugë për të kërkuar fundin e bllokimit.
Në Minesota, guvernatori Tim Walz kundërshtoi thirrjen e Trump për të “liruar” shtetin të premten, duke thënë se duhet më shumë se dy postime në Twitter që kjo gjë të bëhet e mundur. Ndërkohë një numër i madh njerëzish ishin mbledhur përpara rezidencës së tij për të protestuar.
Walz e kritikoi presidentin amerikan se kërkon të kthehet në yllin e “rebelimit kundër bllokimit” me anë të postimit që ai bëri në rrjetet sociale “Lironi Minesotën”.
Edhe guvernatori i Uashingtonit, Jay Inslee dënoi ashpër mbështetjen që presidenti Trump ka treguar ndaj protestuesve dhe e akuzoi atë për ‘nxitje të rebelimit të brendshëm’.