SHBA rrënoi disa “Shtëpi të verdha” ruse, ndërsa Kosova ende vuan nga kjo shpifje
Rusia ka lansuar për dekada me radhë shpifje të tmerrshme ndaj SHBA-së, sikurse ato për trafikim organesh dhe “Shtëpinë e verdhë” kundër Kosovës. Amerika ka arritur të mbroj vetën, ndërsa Kosova ende përballet me pasoja të rënda.
Askush se di më mirë se SHBA se sa është e vështirë përballja me shpifjet e sofistikuara ruse, por, fatmirësisht, shteti më i fuqishëm i botës, ka arritur t’i luftoj ato me sukses.
Për historinë e akuzave të tilla false, Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar para dy muajsh një raport në uebsajtin e vet zyrtar, të cilin mund ta gjeni të plotë në linkun në fund të këtij teksti.
Në mesin e akuzave të rreme, më të rënda, është ajo që Moska e përhapi në vitet 1951-53, gjatë luftës koreane.
Kremlini kishte shpifur se SHBA ka infektuar me virusë kafshë të ndryshme dhe ato i ka lëshuar në territorin e Kinës dhe të Koresë Veriore. Propaganda ishte shpërndarë në tërë globin dhe arriti deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Miliona njerëz që kishin rënë pre e dezinformatave të tilla kanë protestuar kundër Washingtonit.
“Përfaqësuesit sovjetikë i ngritën këto akuza të rreme në forume të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB). Midis mesit të marsit dhe mesit të prillit 1952, 25% e të gjitha shkrimeve të mediave sovjetike u fokusuan në këto pretendime të rreme. Mbulimi intensiv krijoi vëmendje të konsiderueshme publike për këtë çështje, gjë që rezultoi në protestën e miliona njerëzve kundër përdorimit të pretenduar të armëve biologjike nga Shtetet e Bashkuara”, thuhet në dokumentin e Qeverisë Amerikane.
Megjithëse historianët kanë gjetur së paku 12 dokumente zyrtare të Qeverisë ruse se këto akuza ishin shpifje të KGB-së, ato vazhduan të përsëriten.
Sipas dokumentit amerikan, shpifja më e tmerrshme ruse është ajo e viteve të 80-ta. Agjentë të KGB-së kishin përhapur të pavërteta se amerikanët kanë krijuar virusin HIV që është shkaktar i sëmundjes vdekjeprurëse të SIDA/AIDS.
“Në një telegram të KGB-së të vitit 1985 thuhej se” qëllimi i këtyre masave është të krijojë një opinion të favorshëm për ne jashtë vendit se kjo sëmundje është rezultat i eksperimenteve sekrete me një lloj të ri të armës biologjike nga shërbimet sekrete të SHBA-së dhe Pentagonit që doli jashtë kontrollit”, thuhet në dokumentin e Qeverisë së SHBA-së.
Se ky ishte një operacion nga KGB e kishte pranuar edhe udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, në fund të viteve të 80-ta, kur i kishte kërkuar falje presidentit të atëhershëm amerikan, Ronald Regan.
Shpifja më e fundit ruse kundër SHBA-së është përhapur nga Moska vitin e kaluar, për të justifikuar sulmet ushtarake kundër Ukrainës. Regjimi i Putinit ka akuzuar Qeverinë amerikane dhe atë të Ukrainës se kanë ngritur laboratorë për zhvillim të armëve biologjike.
Një nga krerët e këtij operacioni të përhapjes së informatave të rrejshme është zyrtari i lartë rus, Konstatin Kosachev, mik i afërt i Putinit.
Është i njëjti zyrtar rus që është iniciatori i parë i akuzave në Këshillin e Evropës, për trafikim organesh dhe “Shtëpinë e verdhë”. Senatori Dick Marty është përshirë në këtë fushatë në Këshillin e Evropës më vonë. Marty, më pastaj, ka pranuar nga Serbia mijëra faqe akuza të shërbimit sekret serb që ishin përgatitur kundër UÇK-së.
Konstantin Kosachev është sanksionuar nga Qeveria amerikane e presidentit Joe Biden për shpifje në Ukrainë dhe çështje të tjera rreth luftës atje.
Megjithatë, ky zyrtar rus mund të vazhdoj të mburret se si rezultat i angazhimit të tij, Kosova është detyruar të themeloj një Gjykatë Speciale ku janë duke u gjykuar ish-krerët më të lartë të shtetit kosovar dhe UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Akuzat për trafikim organesh dhe shtëpinë e verdhë të lansuara në mënyrë masive, në tërë globin, para 13 vitesh, i kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme shtetit kosovar që sapo kishte shpallur pavarësinë, në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët e saj.
Presidenti Biden që është duke u përballur me shpifje të reja ruse, e kishte cilësuar Hashim Thaçin si George Washington i Kosoves, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.
Kosova, që padyshim është shteti më pro-amerikan në botë (por edhe Amerika është shteti më pro-kosovar në botë) e ka shumë vështirë të heq qafësh këto akuza dhe njolla ruse dhe serbe.
Iniciativa e kryeministrit shqiptar Edi Rama që Këshilli i Evropës të hedh poshtë raportin e Martyt me akuzat e pabazuara por të aprovuara në Asamblenë e saj, është duke vazhduar dhe mbetet të shihet këtë vit se çfarë përkrahje do të marr nga shtetet aleate perëndimore.
Nga ana tjetër, gjyqi ndaj liderëve të UÇK-së vazhdon të hënën me dëshmi të cilat janë duke u dhënë gati tërësisht në seanca private.
Burimi:
https://www.state.gov/the-kremlins-never-ending-attempt-to-spread-disinformation-about-biological-weapons/