SHBA-Rusi, minstrat flasin për luftën në Ukrainë

21 tetor 2022 | 21:10

Të premten më 21 tetor, sekretarët e mbrojtjes së SHBA-së dhe Rusisë zhvilluan një bisedë telefonike, në një moment të rrallë kontakti të nivelit të lartë midis dy vendeve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia konfirmuan se sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologu i tij rus Sergei Shoigu diskutuan për situatën në Ukrainë.

Pas telefonatës së të premtes, Pentagoni bëri të ditur se Austin kishte “theksuar rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit në mes të luftës së vazhdueshme kundër Ukrainës”.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se “u diskutuan çështjet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe situatën në Ukrainë”.

Pas bisedës së tyre të mëparshme në maj, Austin i kërkoi homologut të tij të vendoste një armëpushim të menjëhershëm – një kërkesë që nuk u përmend këtë herë.

Biseda e dy zyrtarëve erdhi në kohën pas aludimeve të presidentit rus Vladimir Putin se ai mund të jetë i gatshëm të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, dhe paralajmërimet nga presidenti i SHBA-së Joe Biden, nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

Marrëdhëniet tashmë të ftohta midis SHBA-së dhe Rusisë u përkeqësuan edhe më shumë që nga pushtimi i Ukrainës.

Udhëheqësit e të dy vendeve patën një takim në mesin e vitit 2021, i cili u pa si një hap pozitiv drejt një marrëdhënieje më të mirë. Por ky progres ngeci pasi tensionet u përshkallëzuan mbi Ukrainën.

Putin dhe Biden zhvilluan disa telefonata në muajt para luftës, në të cilat presidenti amerikan paralajmëroi homologun e tij rus të tërhiqej nga planet e pushtimit. Që nga muaji shkurt, kur nisi agresioni ushtarak i Rusisë, nuk ka pasur asnjë bisedë mes liderëve të dy vendeve.

Rusia ka dënuar publikisht SHBA-në dhe Perëndimin mbi përpjekjet për të ndikuar në luftë duke furnizuar me armë dhe ndihma të tjera Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Donjeta Sadiku do të vije me medalje në Kosovë. Boksierja e…