SHBA: Rusia ka shtuar 11 grupe taktike në lindje dhe jug të Ukrainës
Rusia ka shtuar 11 grupe taktike batalionesh në forcat e tyre në lindje dhe jug të Ukrainës që nga fundi i javës së kaluar. Kjo është bërë e ditur nga një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, duke e çuar numrin total të batalioneve ruse në 76.
“Ata kanë shtuar aftësinë e tyre brenda Ukrainës,” tha zyrtari, duke shtuar se të gjitha forcat tokësore ruse janë aktualisht të përqendruara në lindje dhe jug të Ukrainës, por SHBA nuk është në gjendje të përcaktojë saktësisht se si janë përhapur batalionet e reja.
Ndërkohë, SHBA ka dërguar katër dërgesa ndihme sigurie për Ukrainën, ndërkohë që një tjetër duhet të arrijë “gjatë 24 orëve të ardhshme”, sipas zyrtarit, por nuk u dhanë detaje rreth asaj se çfarë pajisje kishte në këto dërgesa.
Ndërkaq Komanda e Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se sheh shenja që Rusia po fillon ofensivën e saj të re në Ukrainën lindore.
Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura postoi në mediat sociale se përpjekjet kryesore të Rusisë tani ishin të përqendruara në vendosjen e kontrollit të plotë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, me intensifikimin e veprimeve ushtarake në Kharkiv.
Sipas shtabit ukrainas lufta për Mariupolin vazhdon dhe ushtria ruse po fokusohet në marrjen e kontrollit të plotë të zonës, ndërsa vazhdon të shkelë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe po bllokon iniciativat për evakuimin e civilëve nga vendbanimet e pushtuara.