SHBA s’e konsideron propozimin e Moskës për mbajtje referendumi në Ukrainë

20 korrik 2018 | 21:16

Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë Garrett Marquis tha se administrata nuk e ka marrë në konsideratë propozimin e Moskës për mbajtjen e një referendumi në Ukrainën lindore.

“Marrëveshjet e Minskut janë procesi për zgjidhjen e konfliktit në Donbas dhe këto marrëveshje nuk përfshijnë ndonjë mundësi për referendum. Për më tepër, organizimi i një të ashtuquajturi referendum, në një pjesë të Ukrainës që nuk është nën kontrollin e qeverisë, nuk do të kishte legjitimitet”, tha Garrett Marquis, transmeton Zëri i Amerikës.

Komentet vijnë pasi të premten ambasadori rus në Uashington tha se Presidenti rus Vladimir Putin i kishte bërë një ofertë konkrete për Ukrainën homologut të tij amerikan Donald Trump.

“Ky problem është diskutuar dhe janë bërë propozime konkrete për mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje”, tha Anatoli Antonov, duke iu referuar konfliktit katër-vjeçar.

Antonov foli pasi kompania mediatike Bloomberg njoftoi të enjten se në takimin e nivelit të lartë të Helsinkit Putin kishte bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në rajonet e shkëputura të Ukrainës ato të Donetskut dhe Luganskut (pjesë e rajonit të Donbasit) , të cilat kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Duke cituar zyrtarët që morën pjesë në takimet e mbyllura të zotit Putin me diplomatë rusë të enjten, Bloomberg raportoi se Trump i kishte kërkuar presidentit rus të mos e publikonte idenë e referendumit pas samitit të së hënës, për t’i dhënë kohë udhëheqësit amerikan ta vlerësonte atë.

Megjithatë Antonov mohoi që Putin të kishte bërë ndonjë marrëveshje sekrete me Trump në samitin që ka krijuar një stuhi politike në Shtetet e Bashkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja gjermane. Angela Merkel, duke u zotuar të qëndrojë në…