SHBA-të besojnë se ofensiva ruse ka dështuar në lindje të Ukrainës
Shtëpia e Bardhë ka vlerësuar se Rusia ka pësuar 100 mijë viktima në pesë muajt e fundit të luftimeve në Ukrainë.
Duke detajuar vlerësimet e fundit, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se SHBA-ja beson se rreth 20 mijë trupa ruse janë vrarë që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Gjysma e tyre janë nga grupi mercenarë rus, Wagner, raporton skynews.
Ofensiva ruse në Bakhmut, në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, ka “ngecur” dhe “dështuar”, shtoi Kirby.
Muajt e fundit, Moska është përqendruar në rajonin e Donbasit, veçanërisht në qytetin Bakhmut të Donetskut.
Megjithatë, mendohet se Bakhmut nuk është kapur plotësisht nga forcat ruse – dhe ushtarët ukrainas kanë filluar kundërofensivën në zonë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.