SHBA-të do të largojë trupat nga baza në Poloni

10 prill 2025 | 00:13

SHBA do të zhvendosë trupat e saj nga një bazë në Poloni, e cila ka qenë kritike në përpjekjet e perëndimit për të furnizuar Ukrainën me armë në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus, duke përmendur uljen e kostove si arsye.

Politikanët polakë nxituan të japin garanci se masa nuk sinjalizon një interes të zvogëluar të SHBA-ve në krahun lindor të NATO-s.

Por njoftimi – sipas Financial Times – vjen në një kohë kur Polonia dhe aleatët e tjerë janë të shqetësuar për hapat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Rusisë dhe kërcënimet e tij ndaj aleatëve evropianë për tërheqjen e garancive historike të sigurisë së Amerikës.

“Pas tre vjetësh në Jasionka, kjo është një mundësi për të përmirësuar gjurmën tonë dhe për t’u kursyer taksapaguesve amerikanë dhjetëra miliona dollarë në vit”, ka thënë Christopher Donahue, gjenerali komandues i Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë.

Pas pushtimit të përgjithshëm të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, SHBA-të krijuan një bazë të përkohshme në Jasionka, pranë qytetit të Rzeszów, afër kufirit të Polonisë me Ukrainën.

Shumë shpejt u bë qendra më e madhe për transportin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë, si dhe për evakuimin e ushtarëve të plagosur ukrainas në spitalet në të gjithë Evropën.

Ai që kishte qenë një aeroport i vogël rajonal në Poloninë juglindore u shndërrua në një vend uljeje për aeroplanët e mëdhenj të transportit ushtarak, me sistemet e mbrojtjes ajrore amerikane Patriot të vendosura përgjatë pistës së tij.

Ushtria amerikane ka bërë me dije të hënën se “puna e rëndësishme për lehtësimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën nëpërmjet Jasionka do të vazhdojë nën udhëheqjen polake dhe të NATO-s, të mbështetur nga një gjurmë e efektshme ushtarake e SHBA-ve. Polonia dhe aleatët e saj do të ruajnë infrastrukturën e fuqishme mbrojtëse rreth këtij vendi kritik”.

Po ashtu vijoi se vendimi ishte koordinuar me aleatët.

Në janar, Gjermania instaloi dy nga bateritë e saj Patriot rreth Rzeszów dhe Jasionka, duke marrë përsipër një pjesë të përgjegjësisë së mbrojtjes ajrore nga SHBA.

Presidenti polak Andrzej Duda, i cili kishte këmbëngulur më parë se SHBA do të vazhdonte dhe madje do të rriste praninë e saj ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore, të martën u përpoq të minimizonte rëndësinë e njoftimit, duke thënë se Washington-i e kishte informuar atë për vendimin paraprakisht.

Pas takimit të shkurtër me Trump në SHBA në shkurt, Duda tha se nuk duhet të ketë “frikë se prania amerikane në Poloni do të zvogëlohet” dhe në vend të kësaj duhet “supozuar” se do të përforcohet.

Administrata Trump sakaq, ka sugjeruar se po synon të zvogëlojë gjurmën e saj ushtarake në Evropë pasi fokusohet në zona të tjera konflikti dhe ndërsa kërkon të bëjë presion ndaj aleatëve evropianë që të mbulojnë më shumë nga kostot e tyre të sigurisë.

Polonia, megjithatë, ka buxhetin më të madh të mbrojtjes në NATO, duke alokuar ekuivalentin prej 4.7 për qind të PBB-së së saj për ushtrinë e saj këtë vit.

SHBA ka më shumë se 100 mijë trupa në Evropë, por Washington-i ka treguar se dëshiron të ribalancojë forcat e saj larg Evropës.

“Ajo që do të ndodhë pesë, 10, 15 vjet nga tani është pjesë e një diskutimi më të gjerë që pasqyron nivelin e kërcënimit, qëndrimin e Amerikës, nevojat tona në mbarë globin, por më e rëndësishmja aftësinë e vendeve evropiane për t’u rritur”, ka theksuar Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth në një fjalim në Poloni në shkurt.

“Nuk mund të supozohet se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Donald Trump ka shpjeguar arsyet se përse i pezulloi…