
SHBA-të do të rikthejnë shkëmbimin e inteligjencës dhe ndihmën e sigurisë për Ukrainën
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Washington-i do të heqë menjëherë ndërprerjen për shkëmbimin e inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën.
Një deklaratë e Departamentit të Shtetit, e përcjellë nga Reuters, vjen pas një takimi të gjatë mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas të martën në Arabinë Saudite.
I dërguari i Donald Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, deklaroi se SHBA-të nuk e ndërprenë kurrë inteligjencën për “çdo gjë mbrojtëse që u duhej ukrainasve”.
“Ka pasur shumë diskutime midis ekipeve tona dhe ukrainasve dhe evropianëve që janë gjithashtu të rëndësishëm për këto diskutime”, thotë Witkoff në një intervistë me Fox News. “Unë do të doja ta konsideroja si përparim”.
“Shtetet e Bashkuara sapo i kanë dhënë fund ngrirjes së shkëmbimit të inteligjencës me Kyiv-in”, u tha presidenti amerikan Donald Trump gazetarëve në bordin e Air Force One.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, njoftoi më 5 mars se SHBA-të kishte ndaluar ndarjen e inteligjencës me Ukrainën, mes pasojave të debatit të Shtëpisë së Bardhë midis Trump dhe Presidentit Volodymyr Zelensky.
Ky veprim pasoi vendimin e Washington-it për të ngrirë menjëherë të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Sipas Reuters, kur u pyet nëse SHBA-të do t’i jepnin fund pezullimit të shkëmbimit të inteligjencës, Trump u tha gazetarëve: “Ne pothuajse e kemi bërë këtë”.
Pauza në shkëmbimin e inteligjencës i ka lënë civilët e Ukrainës më të prekshëm ndaj sulmeve ajrore vdekjeprurëse ruse.
The New York Times raportoi më 6 mars se ngrirja mund të ndikojë në paralajmërimet vendimtare për dronët dhe raketat ruse që vijnë.