SHBA-të mirëpresin rekomandimet e KE-së për zgjerimin e BE-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin rekomandimet e Komisionit Evropian për zgjerimin e BE-së.
“Ne mbështesim fuqimisht procesin e zgjerimit të udhëhequr nga BE-ja dhe inkurajojmë vendet kandidate dhe aspirante që të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të realizuar potencialin dhe të ardhmen e tyre të plotë në Evropë”, ka shkruar në ‘X’, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ndryshe ditë më parë Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa rekomandoi gjithashtu hapjen e bisedimeve me Moldavinë, pasi t’i përmbushë kushtet përfundimtare.
Për Gjeorgjinë, shtoi KE-ja në një deklaratë më 8 nëntor, iu rekomandua dhënia e statusit zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e mbetura të përcaktuara nga blloku.
Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.
Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.