ShBA-të përshëndesin vendimin e Bashës për përjashtimin e Sali Berishës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur vendimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.
Vendimi i Bashës, sipas SHBA-së ishte e vështirë, duke theksuar se PD-ja ka kurajën që të ndahet nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen.
Duke shprehur mbështetje ndaj PD-së, Amerika pret bashkëpunim të ngushtë me opozitën për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
“Vendim i vështirë i shpallur dje nga kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, është thënë në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë.