SHBA tërheq gjithë stafin diplomatik nga Venezuela
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, urdhëroi tërheqjen e gjithë personelit diplomatik të SHBA-së, të mbetur në Venezuelë.
Më 24 janar, SHBA e ka zvogëluar në minimum stafin diplomatik atje.
Urdhri i ri u dha disa orë pasi Uashingtoni sanksionoi një bankë ruse, për shkak të marrëveshjeve të saj me kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA.
Këto vendime synojnë të rrisin presionin edhe mbi Karakasin, edhe mbi Moskën, e cila është një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të presidentit të sfiduar të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe disa vende të tjera e kanë shpallur Maduron udhëheqës të paligjshëm dhe e kanë mbështetur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si lider të përkohshëm.
Sipas tyre, Maduro nuk është rizgjedhur në mënyrë të ligjshme vitin e kaluar, pasi kandidatët e opozitës nuk janë lejuar të garojnë.
Maduro e ka akuzuar Guaidon për përpjekje për grushtshtet kundër tij me ndihmën e, siç ka thënë, “imperialistëve amerikanë”.
Maduro është në pushtet qysh në vitin 2013.
Nën udhëheqjen e tij, Venezuela ka përjetuar kolaps ekonomik, me mungesa të mëdha ushqimesh dhe rritje enorme të inflacionit.
Kriza ekonomike ka detyruar mbi tre milionë qytetarë të Venezuelës të ikin nga ky vend, në vitet e fundit./rel/