SHBA thotë se mirëpret vendimin e Gjykatës Speciale ndaj Salih Mustafës
Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili është dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte.
Gjykata Speciale, me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Më konkretisht, Mustafa është dënuar për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.
Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.
“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për medie.