SHBA-ja u bën thirrje talibanëve të shqyrtojnë ofertën e Ghanit për paqe
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje talibanëve që të shqyrtojnë seriozisht ofertën e presidentit afgan, Ashraf Ghani, për bisedime për paqe.
Alice Wells, ndihmëssekretare e Shtetit për çështje të Azisë Jugore dhe Qendrore, u ka thënë gazetarëve në Uashington se Gahni nuk kërkon “dorëzimin” e talibanëve, siç ka thënë një zëdhënës i grupit militant.
Ghani ka ofruar një proces të dinjitetshëm, ka deklaruar ajo.
Në një konferencë ndërkombëtare, javën e kaluar në Kabul, Ghani ka thënë se do t’iu mundësonte talibanëve të grupoheshin si parti politike dhe se ai do të punonte për heqjen e sanksioneve kundër tyre, nëse ata i bashkohen qeverisë në negociatat për paqe.
Talibanët e kanë refuzuar ofertën e Ghanit dhe kanë thënë se do të negociojnë vetëm me SHBA-në, të cilën e kanë quajtur “forcë të huaj pushtuese”.
Talibanët po ashtu insistojnë që forcat e NATO-s të tërhiqen nga Afganistani përpara nisjes së bisedimeve.
SHBA ka refuzuar të tërheqë trupat dhe ka thënë se negociatat duhet të zhvillohen midis talibanëve dhe Kabulit./rel