ShBA: Zgjedhjet në veri, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri, duke i cilësuar këto votime në përputhje me ligjin.
Kjo ambasadë ka shprehur keqardhjen që jo të gjitha partitë politike e kanë shfrytëzuar të drejtën për të garuar në zgjedhje.
“Shtetet e Bashkuara theksojnë se katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”.
“Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën e ambasadës.
Po ashtu në këtë komunikatë përmenden të gjithë akterët që mundësuan mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”.
Në këtë komunikatë përmednet edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, përmbyllet komunikata.