SHBA zhvendos disa migrantë afër fëmijëve të tyre
Qeveria amerikane është duke bartur disa prindër migrantë në zona ndalimi që janë më afër fëmijëve të tyre, me të cilët janë ndarë pasi kanë kaluar kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, ka thënë Sekretari amerikan për Shërbime Njerëzore, Alex Azar transmeton Reuters.
Gjyqtari amerikan në San Diego, Dana Sabraw, ka urdhëruar muajin e kaluar Qeverinë që të ndalojë ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre migrantë, derisa ata kalojnë ilegalisht kufirin, duke caktuar edhe datë për bashkimin e familjeve.
Sabraw ka caktuar 10 korrikun si datë të fundit për t’u bashkuar fëmijët nën moshën 5 vjeçare me prindërit e tyre, dhe datën 26 të këtij muaji për të gjithë fëmijët tjerë.
Për të shpejtuar procesin e bashkimit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare është duke zhvendosur prindërit e fëmijëve nën moshën 5 vjeçare në zona më të afërta, “në mënyrë që ne të bashkojmë familjet dhe të respektojmë afatin e fundit”, ka thënë Azar.
Ai po ashtu ka njoftuar se ende asnjë fëmijë nuk është bashkuar me prindërit e tyre, mirëpo një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar ditë më parë një urdhër ekzekutiv për t’i mbajtur familjet të bashkuara.
Urdhri ka ardhur pas reagimeve të ashpra që ka nxitur politika “zero-tolerancë” e administratës Trump, kundër migrantëve nga Meksika që hyjnë në territorin amerikan.