ShBK-ja: Sa më pak para kesh, aq më pak ekonomi informale

03 dhjetor 2017 | 20:14

Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK) ka organizuar konferencën vjetore të bankave të Kosovës me temën “Reduktimi i transaksioneve me para të gatshme: Mundësit dhe sfidat”.

Në këtë konferencë është diskutuar mundësia e reduktimit të transaksioneve me para kesh dhe stimulimi me “e-banking”, si instrument që ndikon drejtpërdrejt në koston e jetës dhe eliminimin e evazionit fiskal. Po ashtu në këtë konferencë është thënë se sa më pak para kesh, aq më e vogël do të jetë ekonomia informale. Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se sektori bankar vazhdon të ketë rol kyç në ekonominë e vendit, raporton “Epoka e re”. “Banka Qendrore e Kosovës mbështet përdorimin e transaksioneve elektronike në mënyrë që të reduktohet paraja kesh. Në këtë drejtim janë hartuar një serë rregulloresh në përputhje të standardeve më të mira. Qeveria e Republikës së Kosovës ka luajtur rol në përmirësimin e infrastrukturës ligjore. Janë aktive dy milionë kartela bankare dhe transaksionet elektronike kanë shënuar trend rritës. Tek ‘e-banking’ kemi rritje prej 50 për qind. Mbi 80 për qind e të rriturve kanë llogari bankare”, ka deklaruar Mehmeti.
Ndërsa Petrit Balija, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës (ShBK), ka thënë se sektori bankar është i konsoliduar. “Sektori bankar në pesë vitet e fundit ka një përformancë të mirë dhe është më i konsoliduar”, ka thënë Balija.
Redaksia online
(A.MAVRAJ. / epokaere.com)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta “Epoka e re” ka arritur të sigurojë vendimin e…