ShBK reagon ndaj sulmit me armë zjarri, video s’ka të bëjë me rastin
Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK), reagoi pas sulmit të armatosur që ka ndodhur sot në orët e pasdites ndaj automjetit transportues të parave në magjistralen Prishtinë-Gjilan.
Po ashtu ShBK, ka bërë të ditur se video e cila është duke u shpërndarë ne medie, s’ka të bëjë më rastin e sotit, por është e mëparshme. “Në portalet që është duke u shpërndarë lajmi i këtij sulmi, nga mediat dhe portalet e ndryshme është duke iu bashkëngjitur edhe një video e cila ka ndodhur nga një ngjarje e mëhershme dhe që nuk ndërlidhet me rastin e sotëm, andaj ju lusim që të mos e shpërndani atë video”.
Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon sulmin ndaj transportuesit të mjeteve financiare dhe kërkon zbardhjen e rastit nga organet kompetente të sigurisë si dhe identifikimin sa më të shpejtë të kryerësve të kësaj vepre dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.
“Vlerësojmë se situata e deritanishme e sigurisë ka qenë e qetë, megjithatë ky incident i sotëm tregon rëndësinë dhe nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente në këtë fundvit, pasi që rastet e sulmeve të tilla kanë prirje të rriten në prag të festave të fundvitit. Me qëllim të krijimit të një klime dhe ambienti sa më të sigurt, konsiderojmë se është e nevojshme që të ketë kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës. Andaj, i bëjmë thirrje të gjitha organeve të sigurisë për ngritje të nivelit të gatishmërisë në parandalimin e këtyre rasteve të rrezikshme që mund të jenë me pasoja të mëdha për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e ShBK-së.