Kreditimi për sektorin e prodhimit në Kosovë pati ngritje për 20 për qind
Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK) përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se kreditimi për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë ka shënuar një ngritje të konsiderueshme në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.
Në krahasim me tremujorin e dytë (TM2) të vitit paraprak, kreditimi për sektorin e prodhimit në Kosovë pati ngritje prej 20 për qind ndërkaq rritje pati edhe sektori i Bujqësisë prej 15.4 për qind.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës, kreditimi për sektorin e prodhimit për gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 ishte 242.30 milionë euro ndërkaq për sektorin e Bujqësisë ishte 74.00 milionë euro.
Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se rritja e kërkesës për kreditim nga ana e sektorit të prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë, paraqet një momentum të ri jo vetëm në sektorin bankar në Kosovë, por edhe për vet zhvillimin ekonomik të vendit, pasi sipas tij, gatishmëria e bankave për t’u ofruar kredi bizneseve me norma të ulëta të interesit me kushte të favorshme preferenciale, hap mundësi të reja për krijime të vendeve të punës dhe krijon rrugë të reja për eksport.
Krahas rritjes së kreditimit për sektorin e Prodhimit dhe Bujqësisë, Balija, ka deklaruar se sektori bankar në Kosovë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme të përkrahë edhe sektorë tjerë ekonomik përmes kreditimit, në mënyrë që të krijohen kushte të favorshme për të gjitha industritë në vend. “Rritja e kreditimit për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë në Kosovë reflekton gatishmërinë dhe interesin e bizneseve për të investuar dhe zgjeruar biznesin përbrenda Kosovës, gjë që ndikon pozitivisht në përmirësimin e bilancit tregtarë të Kosovës dhe mbështet një normë të qëndrueshme të rritjes ekonomike”, ka thënë Balija.
/Epoka e re/