Shefi i AKI-së pranon të largohet nga detyra
Shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashi, ka pranuar të largohet nga pozita, ashtu siç i ka kërkuar kryeministrin Avdullah Hoti.
Kreshnik Gashit i është kërkuar nga kryeministri Hoti, që ta lirojë pozitën në krye të Inteligjencës, pa u dhënë arsyet. Megjithatë, Gashi i është bindur kërkesës së Avdullah Hotit e Vjosa Osmanit.
Zyra e Kryeministrit e ka konfirmuar se shefi i AKI-së tashmë e ka pranuar largimin.
“Ka pranuar kërkesën për lirim nga detyra”, ka thënë të martën shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi.
Sipas ligjit në fuqi, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së, bëhet në koordinim mes presidentit dhe kryeministrit.
Si rrallë herë prej që janë në pozita, kryeministrit Hoti ishte dakorduar me ushtruesen e detyrës, Vjosa Osmanin, për shkarkimin e Gashit, raporton “Express”.
Asnjëra palë, as Presidenca e as Kryeministria, nuk ka treguar arsyet e largimit nga detyra të shefit të AKI-së.
Është thënë vetëm se shkarkimi i Gashit bazohet në Ligjin për AKI-në, sipas të cilit rregullohen aktivitetet, të cilat nuk i lejohen agjencisë.