Shefi i Antidrogës tregon detaje nga operacioni në Lipjan
Drejtori i Antidrogës në Policinë e Kosovës, Bahri Shala ka folur për procesin e kapjes së 400 kilogramëve drogë në Lipjan.
Shala në T7 ka thënë se kjo sasi e drogës ka hyrë në Kosovë mëngjesin e së shtunës, më 15 maj.
Tutje ai tha se për këtë ishin njoftuar më 3 maj nga autoritetet italiane, ndërsa në Shqipëri kishte arritur tri ditë më vonë në portin e Durrësit.
“Më datën 3 maj jemi kontaktuar prej autoriteteve italiane të cilët janë përgjegjës për hetimin e këtij rasti. Nuk jemi njohur personalisht më këtë zyrtarin. DEA amerikane e ka lehtësu këtë komunikim.
Kemi komunikuar, na e kanë sqaruar si çështje. Gjatë komunikimit kanë kërkuar se a mund ta bëjmë apo jo sepse është një dërgesë nga Barazili që duket një sasi e narkotikëve që mund të jetë i fshehur në këtë kontinier, u nis nga Brazili dhe destinacioni është Kosova. I kemi siguruar se mund ta kryejmë një operacion të tillë nuk kemi pengesa ligjore”, ka thënë Shala.
Tutje ai tregoi se Policia nuk kishte intervenuar menjëherë të shtunën, pasi që kishte vetëm dyshime se mund të jetë drogë, ndërsa kanë intervenuar të hënën.
“Kemi filluar prej datës 3 kur edhe janë vendosur paisjet.Në Shqipëri ka arritur pas tri ditësh në portin e Durrsit dhe ka qëndru pak më gjatë. Në Kosovë ka hy të shtunën në mëngjes, me 15 maj. Ka pasë siguri kanë qenë dyshime se mund të jetë drogë, kemi supozu se do të mund të vijë dikush ta marrë dhe ta shpërndajë. Kanë qenë kamerat paisjet 24 orë. Përvec drogës brenda është gjetur edhe mish”, shtoi ai.
Shala tha se ende nuk dihet nëse kjo është substancë e pastër apo është e përzier pasi që ende nuk janë bërë analiza kimike, por supozohet të jetë e pastër.
“Në vendin e ngjarjes është marrë mostër për ekzaminim preleminar dhe ka reazukltuar që është e llokit kokainë por analizë kimike nuk është bërë ende sepse është procedurë më e gjatë. Supozohet të jetë sasi e pastër për shkak të vendin të origjiniës”, tha Shala.