Shefi i BE-së në Beograd mirëpret vendimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në Veri
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka mirëpritur vendimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Veri të Kosovës.
Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i udhëzoi serbët që të kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve kompetente kosovare që sa më parë të shpallin zgjedhjet në Veri të Kosovës, me mesazhin se janë të gatshëm të marrin pjesë në to.
E për diplomatin italian, ky vendim i Listës Serbe, është një hap pozitivë përpara.
“Duhet t’i kthehemi zgjidhjes politike. Sot pamë se Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, që është një hap tjetër pozitiv dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë drejtim”, ka thënë Giaufret.
Giaufret gjithashtu përsëriti se një nga kushtet kyçe për anëtarësimin e Serbisë në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Përveç Vuçiç-it e Listës Serbe për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Veri të Kosovës u deklarua edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Ai bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare t’i dëgjojë thirrjet e serbëve për pjesëmarrje në zgjedhjet në Veri.
Ndonëse për kryediplomatin serb, zgjedhjet në Veri të Kosovës nuk do t’i zgjidhnin të gjitha problemet, një proces i tillë, sipas tij, “mund ta stabilizojë” situatën në katër komunat veriore.
Për nevojën e zgjedhjeve në katër komunat veriore ka folur edhe i ashtuquajturi drejtor i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Ai, siç rëndom bën, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për formën të cilën e ka zgjedhur për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri.
“Udhëzimi administrativ nuk është një gjë tjetër veçse mënyra se si Kurti dëshirojë t’i mbajë me çdo kusht kryetarët shqiptarë në postet e tyre. Kurti qëllimisht e ka ndërlikuar procedurën e zgjedhjeve, sepse po kërkon një mënyrë për t’i shmangur ato”, ka deklaruar Petkoviç, të shtunën.
Ndryshe Lista Serbe, me pranimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ka hequr dorë nga kërkesat që serbët e Veriut, nën udhëheqjen e saj, i bënë më 5 nëntor të vitit të kaluar, kur u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës.
Më 5 nëntor ata kërkuan tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu i Kosovës, si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Qeveria e Kosovës beson se për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore është e nevojshme që fillimisht qytetarët në katër komunat veriore të nisin një peticion për shkarkimin e kryetarëve.
E që kjo të ndodhë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka hartuar një Udhëzim Administrativ duke krijuar shtratin ligjor për përdorimin e të drejtës së peticionit.