Shefi i BE-së në Kosovë: Bizneset po i ndihmojmë t’i përmbushin nevojat e tregut
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës, të mërkurën ka mbajtur një panel diskutimi me të rijnë nga Prishtina me temën: “Shkathtësitë për të ardhmen”.
Në këtë panel është thënë se projektet e ngritjes se kapaciteteve janë projekte bashkëpunimi ndërkombëtar të bazuara në partneritete shumëpalëshe ndërmjet organizatave aktive në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e treta.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se në vazhdimësi janë duke i mbështetur programet e trajnimit që qëllim kanë ngritjen e cilësisë dhe të mësimdhënies.
Ai thënë se nëpërmjet programit aktual janë duke i mbështetur mijëra të rijnë që janë larguar nga sistemi arsimor, të cilët janë të gatshëm t’i kthehen shkollës përmes trajnimit.
Më tutje, Szunyogu, ka thënë se janë duke i ndihmuar edhe bizneset që t’i përmbushin nevojat e tregut dhe të arrijnë konkurrencën.
“Ne po punojmë në forcimin e cilësisë dhe rëndësisë së mësimdhënies me programet e trajnimit. Përfaqësuesit e projektit janë këtu për të folur për rezultatin përmes këtij programi dhe ne tani po përgatisim një mbështetje gjithëpërfshirëse për të nxitur punësimin për të rinjtë përmes përdorimit të drejtpërdrejtë të këtij programi dhe do të mbështesë mijëra të rijnë që janë larguar nga sistemi arsimor duke u dhënë atyre mundësinë për t’u kthyer në shkolla për të gjetur një çështje trajnimi ose për të rishikuar aftësitë e një operatori dhe në fund do t’u ofrojë atyre një ofertë pune cilësore”, ka thënë ai, duke shtuar se janë duke investuar edhe në transformimin digjital të bizneseve.
“Po investojmë në kapërcimin e hendekut të aftësive digjitale dhe të biznesit duke trajnuar njerëz që janë të gatshëm për të përmbushur nevojat e tregut dhe për të rritur konkurrencën. Mbi një mijë persona janë duke e trajtuar dhe ne po investojmë në digjitalizimin dhe transformimin digjital të ndërmarrjeve të vogla të mesme për t’i bërë ato konkurruese dhe për të rritur qëndrueshmërinë dhe aktivitetin e tyre”, ka thënë ai, raporton “EO”.
Ndërsa Mimika Dobroshi, koordinatore e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, ka thënë se e rëndësishme që studentët dhe profesorët të marrin përvoja nga jashtë edhe të huajt të vijnë në Kosovë.
Në anën tjetër, Efka Heder, udhëheqëse e ekipit në projektin “Harmonizimi i arsimit dhe i aftësimit me nevojat e tregut të punës”, ka thënë se nuk ka vend në botë që arsimi është i harmonizuar me tregun e punës.
Prandaj sipas saj, duhet që të merren hapa konkret në këtë drejtim.
“Nuk ka vend në botë që arsimi është i harmonizuar me tregun e punës. Mbi 85 për qind e bizneseve janë mikro-biznese dhe ne nuk e dimë se çfarë u duhet, por ato duhet ta shpërfaqin. Së bashku me Odën Ekonomike i kemi pyetur se çfarë janë nevojat e tyre dhe normalisht ato kanë mundësinë të qasen në platformë që t’i tregojnë ato nevoja”, ka thënë Heder.
Kurse Riad Durguti, drejtor i operacioneve në “Dekoriti”, ka thënë se mënyra e vetme për të qenë konkurrues në treg është që të njerëzit të jenë të trajnuar në mënyrë adekuate.