Shefi i BE-së në Kosovë dhe Haradinaj bisedojnë për çështjen e liberalizimit të vizave
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar një vizitë në grupin parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Gjatë këtij takimi është diskutuar për çështjet që ndërlidhen me agjendën evropiane, të gjeturat e Raportit të Progresit, rolin e Kuvendit të Kosovës në implementimin e ligjeve dhe angazhimin e deputetëve në mbikëqyrjen e qeverisë për sektorin e sundimit të ligjit dhe procesin legjislativ.
Po ashtu, në këtë takim është biseduar edhe për liberalizimin e vizave dhe për projektet kapitale që po gjejnë mbështetje nga BE-ja, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Zyrës së BE-së dhe grupit parlamentar të AAK-së.
Në emër të grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm dhe është zotuar se do të jenë të hapur dhe bashkëpunues ndaj rolit të BE-së dhe ambasadorit Tomas Szunyogut.