
Shefi i BE-së në Kosovë e uron Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), ambasadorin Aivo Orav.
Gjatë takimit, ambasadori Orav ka vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli.
Ambasadori Orav e ka uruar kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje.
Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.