Shefi i BioNTech: Omicron s’ka gjasë të shkaktojë sëmundje të rëndë te njerëzit e vaksinuar me Pfizer
Bashkëthemeluesi i BioNTech – partneri i prodhimit të vaksinës ndaj COVID-19 të Pfizer – beson se vaksina e tyre është ende efektive në parandalimin e komplikimeve të rënda nga varianti Omicron.
Dr. Ugur Sahin, bashkëthemelues i kompanisë me bazë në Mainz, i tha sot Wall Street Journal se varianti mund të shkaktojë infeksione të reja me një shkallë më të lartë. Megjithatë, sapo të hyjë në trup, varianti ka të ngjarë të shkatërrohet.
Sahin beson se një person i vaksinuar do ta ketë kapacitetin e sistemit imunitar të nevojshëm për të mposhtur virusin e ndryshuar dhe inkurajon njerëzit që t’i marrin kur të munden vaksinat e tyre përforcuese.
Shumë ekspertë kanë frikë se vaksinat kundër COVID-19 nuk do të jenë efektive kundër variantit të fundit.
“Mos u trembni, plani mbetet i njëjtë: Përshpejtoni administrimin e një vaksine të tretë përforcuese”, tha Sahin për WSJ.
BioNTech fillimisht zhvilloi vaksinën e saj me dy doza në fillim të vitit 2020 dhe bashkëpunoi me Pfizer me bazë në SHBA për ta shpërndarë atë në mbarë botën, shkruan Daily Mail, transmeton Klan Kosova.
Ishte vaksina e parë që fitoi autorizimin e përdorimit urgjent – dhe më vonë miratimin e plotë – në Amerikë, dhe është gjithashtu e vetmja vaksinë e disponueshme për njerëzit nën moshën 18 vjeç.
Vaksina është administruar 266 milionë herë në SHBA për të vaksinuar plotësisht mbi 109 milionë njerëz.
Sahin i tha WSJ-së se ilaçi u siguron njerëzve dy nivele të mbrojtjes nga virusi. Së pari, ai gjeneron antitrupa COVID që ndihmojnë sistemin imunitar të një personi të parandalojë virusin që të infektojë qelizat nëse një person ekspozohet.