Shefi i Bundesbankës paralajmëron se inflacioni do të arrijë nivele të larta në Gjermani

24 gusht 2022 | 08:46

Shefi i Bankës Qendrore të Gjermanisë ka paralajmëruar se normat e interesit duhet të vazhdojnë të rriten, pavarësisht rrezikut për një recesion të mundshëm, pasi inflacioni po arrin nivele dyshifrore për herë të parë që nga viti 1951.

Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel tha se rritja e fundit e çmimeve të energjisë, e cila ka ardhur si pasojë e reduktimit të furnizimeve me gaz nga Rusia, ka të ngjarë ta çojë inflacionin në Gjermani në mbi 10 për qind gjatë kësaj vjeshte dhe ta mbajë atë në nivele të larta përgjatë vitit të ardhshëm.

“Problemi i inflacionit nuk do të largohet në vitin 2023. Problemet e furnizimeve dhe tensionet gjeopolitike ka të ngjarë të vazhdojnë. Ndërkohë, Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet e saj me gaz, dhe çmimet e gazit natyror dhe të energjisë elektrike janë rritur më shumë sesa pritej”, tha Nagel.

Ekonomistët kanë ulur vlerësimet e tyre për rritjen ekonomike në Gjermani dhe në eurozonë këtë vit, ndërkohë që kanë rritur parashikimet për inflacionin dhe kanë paralajmëruar se ndërprerja totale e furnizimeve me energji nga Rusia do ta detyronin Berlinin që të raciononte gazin për përdoruesit e mëdhenj të industrisë.

Çmimet e energjisë elektrike në Gjermani kanë shënuar një rekord të ri, duke u bërë shtatë herë më të larta se një vit më parë, kryesisht për shkak të kostos së lartë të gazit, e cila është rritur 10-fish që nga viti i kaluar.

Vala e të nxehtit dhe periudha e thatësirës kanë ulur nivelet e ujit në lumin e Rinit, duke i ҫuar ato nën nivelin që do t’i mundësonte anijeve të transportit që të ngarkoheshin plotësisht dhe duke kufizuar kështu furnizimet për fabrikat. Edhe këto të fundit, sipas ekonomistëve, do të ndikojnë në zvogëlimin e rritjes së ekonomisë gjermane këtë vit.

Ekonomia gjermane pati një stanjacion në tremujorin e dytë, duke shënuar performancën më të dobët të vendeve kryesore të eurozonës. Muajin e kaluar, FMN uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Gjermanisë për vitin e ardhshëm me 1.9 pikë përqindjeje, duke e ҫuar atë në 0.8 për qind, ulja më e madhe krahasuar me çdo vend tjetër. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bisedoi Andreas Dushi Me sugjerimin e kolegut Liridon Mulaj, vendosa të…