Shefi i ekipit olimpik: Gjithçka shkoi mirë për Kosovën
Jeton Rudari ishte shef i misionit të Ekipit Olimpik të Kosovës për Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018.
Që prej 1 tetorit, kur është nisur ekipi olimpik për në kryeqytetin e Argjentinës, ai është duke u përkujdesur për sportistët, trajnerët, për mbarëvajtjen e garave, disiplinën etj.
“Përvoja e marrë nga lojërat e kaluara ndërkombëtare më ka ndihmuar që edhe këtë herë të mos kemi ndonjë problem dhe të përkujdesem për gjithçka që ishte e nevojshme si për sportistët, trajnerët, po ashtu edhe për tërë delegacionin që mori pjesë në Buenos Aires 2018”, ka thënë Rudari për “noc-kosovo.org”. Ai falënderoi gjithë Ekipin Olimpik të Kosovës për disiplinën e treguar si në Fshatin Olimpik, po ashtu edhe gjatë garave. Në Buenos Aires 2018 morën pjesë edhe drejtuesit e lartë të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në krye me ministrin Kujtim Gashi.
Ekipi Olimpik i Kosovës kthehet të dielën në Prishtinë.