Shefi i EULEX-it: Braktisja e institucioneve nga serbët nuk ka të bëjë thjesht për targat

19 nëntor 2022 | 21:53

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se situata në veri është relativisht e qetë.

Në një intervistë për Le Canton27.ch, duke folur për praninë e EULEX-it në veri, ai ka theksuar se EULEX-i nuk ka mandat të ri, sepse është duke vepruar në suaza të mandatit ekzistues.

“Ne nuk mund ta zëvendësojmë policinë vendëse të Kosovës. Por, ne mund të shtojmë praninë tonë, monitorimin. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve edhe këshilltarët tanë policorë dalin për patrullime jo vetëm me makina, por edhe në këmbë, për të treguar që ne jemi aty. Gjithashtu do të bashkëpunojmë me Policinë e Kosovës”, ka theksuar Lars-Gunnar Wigemark.

“Gjithashtu ne kemi informacione se disa njerëz janë duke u armatosur. Situata është mjaft e tensionuar, dhe për këtë arsye ne i bëjmë thirrje të gjithëve palëve, që ta ruajnë qetësinë, dhe të mos përfitojnë në dëm të paqartësisë së kësaj situate. Dhe natyrisht e dimë se në veri të Kosovës ka grupe kriminale. Shumica e të gjithë qytetarëve, edhe serbë edhe shqiptarë duan paqe, nuk duan dhunë definitvisht. Nuk duam asnjë situatë që mund të jetë e ngjashme me situatën e luftës, ne do t’i pengojmë këto provokime, dhe që të mos luajnë me zjarrin”, ka theksuar ai.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka theksuar se janë bërë disa shtyrje të afateve për targat, por sipas tij, BE-ja dhe SHBA kanë kërkuar edhe një afat shtesë kohor për këtë proces.

“Askush se konteston të drejtën e Kosovës për ta zbatuar këtë vendim, për zëvendësimin apo ndërrimin e tabelave, KM apo të tjera, por është çështja se si bëhet ky proces dhe sa shpejt, e kjo tani në njëfarë mënyre është bërë njëfarë simboli për gjithëçka tjetër. Personalisht mendoj se kjo nuk ka të bëjë thjesht me targat”.

“Nuk e kisha në mendje kryesisht Rusinë në këtë rast, por duke e parë situatën e sotme, por nëse e shohim gjendjen aktualisht në Evropë, që shoqërohet nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë, bazuar në realitetin që BE-ja është e pakënaqur që Serbia nuk është rreshtuar me sanksione ndaj Rusisë, është diçka që dihet mirëfilli, është e mundur që Rusia ta përdorë për shpërqendrim, por ajo që po bën ajo, është kundër të drejtës ndërkombëtare, kundër sovranitetit të një vendi të pavarur siç është Ukraina. Duke iu referuar gjendjes në veri të Kosovës, nuk e shohim ndonjë prani ruse. Ka më shumë deklarime të tipit të propagandës, mund të jenë spekulime”, ka deklaruar shefi i EULEX-it.

Ai ka theksuar se zgjidhja duhet të jetë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe duhet të trajtohet si një çështje dypalëshe.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://lecanton27.ch/ekskluzive-shefi-i-eulex-it-lars-gunnar-wigemark-personalisht-mendoj-se-braktisja-e-institucioneve-nga-serbet-nuk-ka-te-beje-thjesht-me-targat/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova barazoi në ndeshjen e fundit kundër Ishujve Faroe dhe…