Shefi i EULEX-it jep detaje lidhur me zbatimin e marrëveshjes për targat
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka dhënë detaje nga zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes për targat në pikat kufitare Kosovë-Serbi, e arritur me ndërmjetësimin e Brukselit.
Wigemark, me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, është shprehur se ekipet monitoruese kanë vizituar sot gjashtë pikat e përbashkëta kufitare dhe se marrëveshja po zbatohet.
“Sistemi i ri po funksionon dhe trafiku rifilloi në të gjitha pikat. EULEX do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e marrëveshjes”, shkruan Wigemark në Twitter.
Pika e dytë e marrëveshjes për vendosjen e ngjitseve në elementet shtetërore të Kosovës e Serbisë, nisi zbatimin që nga e hëna.
Deri më 8 tetor, veturat të cilat nuk fshehin simbolet shtetërore në Kosovë do të dënohen sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.