
Shefi i EULEX-it: Një ekip i yni mjekësor e ekzaminoi mbrëmë Dejan Pantiqin
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka njoftuar se mbrëmë e kanë dërguar një ekip mjekësor për ta kontrolluar ish-policin serb, Dejan Pantiq, i cili është arrestuar si i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës në veri.
Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se ky është kontrolli i dytë mjekësor që i është bërë Pantiqit.
“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ekzaminoi z. D.P. i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z. D.P. kryer nga një ekip mjekësor i EULEX-it. I pari u krye një javë më parë”, ka shkruar shefi i EULEX-it në “Twitter”.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka thënë së fundmi se është duke e shqyrtuar mundësinë që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës për ta transferuar ish-policin Dejan Pantiq nga një stacion policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.
EULEX-i ka theksuar se nuk është përgjegjës për mbajtjen në arrest të Pantiqit, i cili dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
At the request of the responsible Kosovo authorities, an EULEX medical team yesterday evening examined Mr D.P. who is detained by the Kosovo Police. This is the second medical exam of Mr D.P. conducted by an EULEX medical team. The first one took place a week ago.
— Lars-Gunnar Wigemark (@LarsGWigemark) December 25, 2022