Shefi i Ferrarit: Arritëm objektivin, ky ishte maksimumi ynë
Ferrari e mbyllin këtë sezon të Formula 1 me një podium, me pilotin spanjoll Carlos Sainz që u rendit i treti në garën e zhvilluar në Abu Dhabi.
Një rezultat që pasqyron edhe sezonin e “kokëkuqes”, që u klasifikua e treta në renditjen për konstruktorë, pas Mercedes dhe Red Bull. Ky ishte edhe objektivi i makinës italiane, pas dështimit të vitit të kaluar, ku u klasifikua në vendin e gjashtë. “Podiumi është i bukur, por kur sheh të tjerët që festojnë nuk je i kënaqur. Gjithsesi, vendi i tretë për konstruktorë ishte maksimumi që mund të arrinim këtë sezon”, ka thënë Mattia Binotto, shefi i Ferrarit.
“Punuam shumë gjatë gjithë këtij sezoni, por tani do të nisë një epokë e re dhe është e rëndësishme të shohim se ku do të jemi krahasuar me rivalët. U rritëm shumë krahasuar me vjet dhe pilotët tanë arritën objektivat. Janë të dy të fortë dhe kemi besim te aftësitë e tyre për të ardhmen”, ka shtuar Binotto.