Shefi i Ferrarit: Red Bullin nuk e mundim si individ, por mund ta mposhtim si skuadër
Fitorja e dyfishtë në garën e Australisë ka rikthyer entuziazmin te Ferrari, që pas dy vendeve të treta në dy garat e para tregoi se ka një makinë konkurruese. Gjithsesi, te “kokëkuqja” janë të vetëdijshëm se Red Bulli është ende një hap përpara. Garat e ardhshme janë shumë të rëndësishme për të vlerësuar ecurinë e mundshme të pjesës tjetër të kampionatit.
“Ky është objektivi ynë, që Ferrari te jetë konkurrues për kampionatin e konstruktorëve”, ka thënë Frederic Vasseur, shefi i makinës italiane.
“Natyrisht që ne duam edhe të luftojmë për kampionatin e pilotëve, por ndoshta ky vit është ndoshta pak herët për këtë gjë, por do të shohim”, u shpreh më tej menaxheri francez i Formula 1. “Kam respekt të madh për Carlos si njeri dhe si pilot. Kur i thashë për zgjedhjen e Hamiltonit, i premtuam vetes se do të jepnim maksimumin deri në kthesën e fundit të garës së fundit”, ka deklaruar Vasseur. Ai përshkroi rrugën që duhet ndjekur: “Fundjavat nuk do të jenë të gjitha si në Melburn, por kërkojmë të mos bëjmë gabime, të përmirësohemi hap pas hapi dhe të mbajmë të njëjtin vendosmëri”.