Shefi i Ferrarit: Viti 2026, shansi i madh për ta ndalur dominimin e Red Bullit
Të gjitha skuadrat përpiqen ta ndalin dominimin e Red Bullit, por nuk e kanë të lehtë. 21 fitoret në 22 gara të këtij sezoni janë fakt se makina austriake është e paarritshme dhe ky dominim pritet të vijojë edhe vitin tjetër.
Frederic Vasseur, shefi i Ferrarit, duke folur për të ardhmen, konfirmon se për “kokëkuqen” do të jetë e vështirë të arrijë Red Bullin. “Mundësia më e mirë është ta ndalim këtë cikël. Në Formula 1 sot garohet me cikle dhe tani është radha e Red Bullit. Këtë gjë e tregojnë 25 vitet e fundit të këtij sporti”, ka thënë Vasseur.
“Duke parë rregulloret, mendoj se duke nisur nga viti 2026 mund ta ndalim këtë cikël, kur të ndërtohen makinat e reja. Ne do të shohim se di do ta zhvillojmë makinën tonë në dy vitet që vijojnë, duke pasur si objektiv atë sezon. Natyrisht që ne nuk heqim dorë edhe nga sezoni që vjen”, ka shtuar shefi i Ferrarit. “Tema më e rëndësishme për ne që duam ta kapim Red Bullin është viti 2026. Duhet të përgatitemi mirë për atë moment, pasi është një shans i mirë për ta rikthyer Ferrarin fitues që duam dhe njohim të gjithë”, ka përfunduar Vasseur.