Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit thotë se Hamasi ka avantazhin në terren kundër Izraelit
Sipas shefit të Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, grupimi militant Hamas e ka epërsinë në terren kundrejt Forcave të Mbrojtjes izraelite.
Po ashtu, sa i takon gjithë luftimeve tokësore sipas tij, do të jetë sërish Hamasi, ai i cili ka epërsinë e pamohueshme, pasi gjendet në një terren të vetë grupimit.
Këto komente vijnë menjëherë pas një inkursioni fillestar të Izraelit në veri të Gazës, ku pretendohet përmes një aksioni tokë-det-ajër, asgjësimi i Hamasit.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, bombardimet ajrore në Gaza do të shtohen sa më shumë kohë të kalojë.
Kjo, për t’i shërbyer ushtarëve izraelitë në terren, të cilët kanë mësyrë në pjesën veriore të Rripit të Gazës natën e 27 tetorit, në një inkursion jo të plotë tokësor të Izraelit.
Në bazë të një njoftimi për shtyp, IDF-ja ka pretenduar se asnjë prej ushtarëve izraelitë të përfshirë në operacion nuk është vrarë gjatë dyluftimeve.
Kjo, si një përgjigje për pretendimet e Hamasit, se në fakt qindra ushtarë izraelitë janë vrarë nga grupimi militant, pasi u është zënë pritë menjëherë me hyrjen në territor.
Gjithçka është krejtësisht e paqartë megjithatë, pasi mungon thuajse totalisht raportimi nga Gaza, për shkak të ndërprerjes së energjisë, internetit dhe telekomunikimit që Izraeli ka bërë përpara fillimit të zgjerimit të operacionit tokësor.