Shefi i GP i PDK-së: Veseli është deklaruar për qëndrim në opozitë
Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ky subjekt në fokus e ka gjendjen në të cilën ndodhet vendi si rezultat i pandemisë së koronavirsit.
“Ne jemi të gatshëm ta japim mbështetjen tonë për çfarëdo që na kërkohet”, ka thënë Hamza në “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se situatës me mocionin PDK nuk i ka kontribuar me asnjë element.
“Është produkt i veprimeve të partnerëve të koalicionit. Kjo qeveri do ta mbajë rekordin për dy gjëra: për 51 ditë që ka qëndruar në pushtet dhe e dyta me numrin e deputetëve që është votuar mocioni për rrëzimin e saj: 82 sish. Ne kemi pasur konsistencë dhe kemi vendosur standard të ri. Kadri Veseli pa dalë rezultati zgjedhor e ka pranuar rezultatin dhe është deklaruar për qëndrim në opozitë”, ka thënë Hamza.
“LV-ja dhe LDK-ja kanë qenë të papërgatitura për të qeverisur të dyja bashkë. Nuk ka rregullore që e përshkruan fushëveprimtarinë e ministrive. Nuk ngarendim të jemi pjesë e pushtetit. Nuk jemi duke diskutuar për këtë çështje. Po e luajnë rolin e viktimës, për 50 ditë kemi qeverisur mirë… Kemi pasur rezerva ende pa u bërë. Nuk kemi besuar në këtë qeveri. Skepticizmi ynë po del se ka qenë i drejtë. Çdo punë të mirë e vlerësojmë dhe pranojmë. Por kjo qeveri i ka bërë dëm të madh vendit”, ka shtuar Hamza.