Shefi i grupit parlamentar të AAK-së i numëron 10 dështimet e qeverisë Kurti
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka shkruar në postim në “Facebook” se qeveria Kurti që dy vite e gjysmë ua ka rënduar jetën qytetarëve të vendit.
Ai ka theksuar se edhe Amerika, shteti me ekonominë më të fortë në botë po shikon lehtësimin e jetësës së familjeve amerikane, në raport me shpenzimet bazike, si barnat, sigurimet e shumë tjera.
“Qeveria jonë qe 2 vjet e gjysmë, qytetarëve vetëm sa ua rëndon jetesën. Disa argumente, po ja nisim prej fundi: 1. Librat shkollorë; 2. Pagat në sektorin publik; 3. Lista esenciale e barnave; 4. Pensionistët; 5. Policët; 6. Mjekët; 7. Infermierët; 8. Veriu i Kosovës – pika më e ndjeshme e Kosovës. 9. Sanksionet; 10. Sulmin ndaj mediave. Madje, kjo Qeveri, jo që po ua lehtëson jetesën qytetarëve, por i mashtroi të gjithë ata që pritën zhvillim ekonomik e luftim të korrupsionit”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se më e keqja, ua humbi shpresat për një të ardhme më të mirë gjeneratave të ardhme në Kosovë. “Kjo pasiguri e madhe për të ardhmen, lidhet me ekonominë e rënduar të vendit, punësimin dhe kushtet e jetës. Ky drejtim politik i kësaj qeverisje po e dërgon vendin në humnerë, para shkatërrimit të përgjithshëm. Po krijojnë skandale në të gjitha sferat, për të mbuluar dështimin e mashtrimin”, ka shkruar Besnik Tahiri.