Shefi i Hetimeve tentoi ta braktiste Gjykatën Speciale, nuk ia doli të bëhej zëvendësprokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

11 dhjetor 2021 | 17:31

Shefi i Hetimeve në prokurorinë e Gjykatës Speciale, Alex Whiting, nuk ia ka dalë të bëhet zëvendësprokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Asambleja e Shteteve Palë në Statutin e Romës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare mbajti sesionin e njëzetë, nga 6 deri më 10 dhjetor 2021, në Qendrën e Konventave të Forumit Botëror në Hagë, transmeton Demokracia.com.

Prokurori me shtetësi amerikane dhe franceze, Alex Whiting, i cili njëherit është Shef i Hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, i ishte futur garës që të bëhej zëvendësprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Whiting në raundin e parë të votimeve mori 26 vota, ndërsa kundërkandidatët e tij, Mame Mandiaye Niang, 52 vota, si dhe Claudia Paz Bailey, e cila grumbulloi 11 vota.

Në raundin e dytë, Whiting mori 25 vota, Claudia Paz Bailey 7, dhe Mame Mandiay Niang mori 58 vota.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, më 13 qershor 2019, kishte zyrtarizuar Alex Whiting si shef të hetimeve, duke e vlerësuar si një prej personave më të përshtatshëm për këtë pozitë.

Nëse Whiting do të përzgjidhej në këtë pozitë, atëherë brenda një kohe të shkurtër, ai do të ishte prokurori i dytë që do ta linte Gjykatën Speciale.

Prokurori tjetër i Dhomave të Specializuara, David Harbach, kishte braktisur punën e tij në këtë institucion për të filluar punë në firmën e avokatisë O’Melveny në Uashington D.C.

Alex White me shtetësi amerikane dhe franceze, ka punuar nga 2002 deri në vitin 2007 në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Ai ka qenë prokuror kryesor në procesin gjyqësor kundër ish- pjesëtarëve të UÇK-së, Fatmir Limaj, Isak Musliu dhe Haradin Balaj.

Whiting është diplomuar në Kolegjin Yale dhe në Fakultetin Juridik Yale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Albin Kurti Me Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të…