Shefi i Inteligjencës së Izraelit: Irani po mendon për një sulm ndaj Kupës së Botës

21 nëntor 2022 | 22:03

Kreu i Inteligjencës Ushtarake në Izrael deklaroi të hënën se Irani po mendon për një sulm ndaj Kupës së Botës në Katar.

Kjo, pasi po përballet me presion në rritje brenda vendit, mes protestave mbarëkombëtare kundër regjimit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “The Times of Israel”, duke cituar fjalën e zyrtarit në një konferencë të Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS) në Tel Aviv.

Gjeneralmajori Aharon Haliva theksoi se protestat që kanë përfshirë Iranin janë “jashtëzakonisht të veçanta” dhe janë shndërruar në një “rebelim civil”.

“Numri i të vdekurve, sulmet ndaj simboleve kombëtare – kjo është shumë shqetësuese për regjimin, veçanërisht e kombinuar me sanksionet, presionin ekzistues ndërkombëtar dhe situatën e vështirë ekonomike”, tha Haliva.

Protestat u nxitën nga vdekja e një gruaje të re, Mahsa Amini, pas arrestimit të saj nga policia e moralit në Teheran në shtator, dhe që atëherë janë përhapur në të gjithë vendin.

“Po ju them se iranianët tani po mendojnë të sulmojnë edhe Kupën e Botës në Katar”, tha ai. “E vetmja gjë që i pengon ata është se si do të reagojnë katariotët”.

Duke i bërë jehonë komenteve të Haliva-s, ministri në largim i Mbrojtjes Benny Gantz paralajmëroi se Irani është i prirur të sulmojë Kupën e Botës në mënyrë që të shkaktojë destabilitet rajonal.

“Irani po kërkon të ruajë destabilitetin si një gjë konstante. Në një kohë kur bota rreth tij është e qëndrueshme dhe lulëzon – kjo është e kundërta e asaj që po ndodh brenda Iranit”, vijoi Gantz.

Bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi Evropian kanë vazhduar për më shumë se një vit për të rikthyer SHBA-në në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit.

Marrëveshja, e nënshkruar midis Iranit dhe SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë, është shpërbërë qëkurse administrata Trump u tërhoq në vitin 2018.

SHBA-të rivendosën sanksionet e ashpra dhe Irani u përgjigj duke hequr dorë nga shumë nga angazhimet e tij ndaj paktit ndërsa gjithashtu rrit pasurimin e uraniumit në nivele shumë përtej kufijve të marrëveshjes.

Irani tani pasuron uraniumin deri në 60 për qind të pastërtisë – një nivel që nuk e ka arritur kurrë më parë dhe një hap i shkurtër teknik larg pasurimit 90 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i…