Shefi i Mercedesit: Gabimi më i madh ishte makina e vitit 2022
Kur nisi sezoni 2022 në Formula 1 dhe në fuqi hynë rregullat për makinat e reja, Mercedesi ishte larg asaj që prisnin të gjithë. Makina që kishte dominuar për gati 10 vjet nuk ishte më, duke i lënë skenën Red Bull, që prej dy sezonesh është e paarritshme nga rivalët.
Duke folur për këtë situatë, Toto Wolff, shefi i Mercedes, ka thënë: “Gabimi më i madh i karrierës time si drejtues ishte makina Mercedesi e vitit 2022. Gabuam mënyrën se si do të ndërtonim makinën e tij sezoni dhe më pas humbëm rrugën që duhej të bënim për ta sistemuar situatën. Fakti që konfirmuam këtë koncept edhe për vitin 2023 ishte gabimi i dytë, por e mbrojtëm këtë koncept, pasi fituam në Brazil me Russell. Çdo skuadër do ta kishte marrë si bazë atë fundjavë në Brazil për sezonin e ri. Më shumë se gjysma e skuadrës ishte e bindur se gjërat po sistemoheshin”.
“Mendoj se shumë punonjës motivohen kur shohin se shefi i tyre ka ambicie të mëdha, por ndonjëherë i kaloj limitet. Atëherë duhet të pi një çaj kamomili. Nëse të dielën pas garës tregohem i ashpër me punonjësit, atëherë kthehem në fabrikë dhe kërkoj ndjesë, kjo është pjesë e një lideri”, ka deklaruar Wolff.