Shefi i Mossadit vizitoi fshehurazi Washingtonin
Shefi i Agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, David Barnea, ka udhëtuar fshehurazi në Washington dy javë më parë në lidhje me bisedimet që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë me Arabinë Saudite.
Kjo mbi planet e Mbretërisë për të krijuar një program bërthamor civil.
Të paktën kështu kanë konfirmuan burimet e përfshira në vizitë për izraeliten “Haaretz”.
Barnea u takua me zyrtarë të lartë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës dhe Shtëpisë së Bardhë në të njëjtën kohë që presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ishte në Washington për një vizitë zyrtare.
Burimet nuk besojnë se dy vizitat kanë qenë të koordinuara.
Barnea konsiderohet një figurë kyçe në bisedimet në vazhdim, duke përfaqësuar interesat e Izraelit për të ruajtur avantazhin e tij ushtarak dhe duke paraqitur pozicionin e tij ndaj planeve bërthamore saudite.
Marrja e dritës jeshile për programin nga SHBA-të është një nga dy kushtet kryesore që Mbretëria ka vendosur për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
E dyta është aftësia për të blerë armët më të avancuara amerikane.
Burime në Jerusalem i thanë “Haaretz” dy muaj më parë se të dyja kushtet shiheshin si problematike nga Izraeli.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, tha të hënën se një marrëveshje normalizimi midis Izraelit dhe Arabisë Saudite do të dëmtonte paqen dhe stabilitetin në rajon.
Të dielën, Netanyahu tha se, “Izraeli do të jetë në gjendje të lidhet me tren me Arabinë Saudite dhe Gadishullin Arabik. Ne po punojmë për këtë”.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ishte së fundmi në Arabinë Saudite për herë të dytë në më pak se tre muaj.
Asnjë njoftim zyrtar për një përparim nuk doli, por fakti që Sullivan u kthye në Mbretëri kaq shpejt pas udhëtimit të tij të mëparshëm, tregon se administrata Biden beson se ka një shans serioz për të arritur një marrëveshje normalizimi.