Shefi i NATO-s falënderon Turqinë për përforcimet që dërgoi në Kosovë
Gjatë një takimi me presidentin Recep Tayyip Erdogan në Stamboll, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehu mirënjohjen e tij ndaj Turqisë për mbështetjen e dhënë me vendimin për dërgimin e përforcimeve në Kosovë.
“Unë do të doja të falënderoja Turqinë për përforcimet që kanë vendosur të dërgojnë në Kosovë, pas trazirave të fundit në rajon”, deklaroi Jens Stoltenberg për gazetarët pas takimit me dyer të mbyllura me presidentin Erdogan në Pallatin Dolmabahçe.
Gjatë takimit të dy zyrtarët diskutuan edhe disa çështje të rëndësishme që do të diskutohen në korrik në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Anadolu”.
Ndër këto janë mbështetja e vazhdueshme e NATO-s për Ukrainën, forcimi i masave të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe rëndësia e pranisë së NATO-s në Kosovë, shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, nëpërmjet një tweet-i, njoftoi më herët se një batalion i këmbësorisë turke është nisur në Kosovë për të mbështetur misionin paqeruajtës të NATO-s (KFOR), pas tensioneve në pjesën veriore të vendit, shkruan AP.
“Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni komando i Komandës sonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Lüleburgaz) i caktuar në rajon filloi të dislokimin në Kosovë”, thuhet në postimin e Ministrisë turke të Mbrojtjes.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi ditë më parë se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.