Shefi i NATO-s në Ukrainë për të shprehur mbështetjen e aleancës
Shefi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Jens Stoltenberg, ka vizituar kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, të enjten, për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus.
Ai përmes kësaj vizite tregoi mbështetjen e aleancës ushtarake për Ukrainën ndërsa ajo po përgatitet për të nisur një kundërofensivë ndaj forcave ruse.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Kiev se prioriteti i aleancës është të sigurojë që Ukraina të “triumfoj” në luftën kundër Rusisë dhe se një plan anëtarësimi për Kievin do të diskutohet në një samit në korrik.
“E ardhmja e Ukrainës është në familjen euroatlantike, e ardhmja e Ukrainës është në NATO, të gjithë aleatët bien dakord për këtë”, tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp në Kiev.
Stoltenberg tha se “çështja e anëtarësimit do të jetë në agjendë” në një samit të NATO-s që do të zhvillohet në korrik në Vilnius të Lituanisë.
Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se ishte koha që NATO të merrte një vendimin politik për të ftuar Ukrainën që t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe se Kievi dëshironte të dinte se kur do të ndodhte kjo. “Unë jam mirënjohës për ftesën për të vizituar samitin, por është gjithashtu e rëndësishme që Ukraina të marrë ftesën përkatëse”, u tha ai gazetarëve.
“Nuk ka asnjë pengesë të vetme objektive për vendimin politik për të ftuar Ukrainën në aleancë dhe tani, kur shumica e njerëzve në vendet e NATO-s dhe shumica e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, është koha për vendimet përkatëse”, tha Zelenskyy.
“Ne e interpretojmë këtë vizitë të sekretarit të përgjithshëm, të parën e luftës në shkallë të gjerë, si një shenjë se aleanca është e gatshme të fillojë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Ukrainën, kapitullin e vendimit ambicioz”, tha Zelenskyy.
Gjatë vizitës Stoltenberg vendosi një kurorë për të nderuar ushtarët ukrainas që janë vrarë gjatë luftimeve në lindje të vendit dhe vizitoi vendin ku gjenden automjetet e blinduara ruse të shkatërruara forcat ukrainase në kryeqytet.
Ai filloi udhëtimin e tij të paparalajmëruar në një moment jetik në pushtimin pothuajse 14-mujor të Rusisë, i cili ka vrarë mijëra, larguar miliona, shkatërruar qytete dhe shkatërruar ekonominë ukrainase.
Pasi Ukraina përballoi një ofensivë ruse gjatë dimrit dhe pranverës, tani shpreson të rimarrë tokën në jug dhe lindje të saj në një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm.
Pasi bëri nderimet e tij për ushtarët ukrainas, sekretari i përgjithshëm i NATO-s hipi në një makinë dhe u largua pas ngjarjes, raporton Reuters.
Pas mbërritjes së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Ukrainë, Rusia përsëriti qëndrimin e saj kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të enjten, siç raportohet nga agjencia ruse e lajmeve Interfax, se Rusia e sheh veten të kërcënuar nga anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO derisa kritikoi perëndimin për dhënien e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
NATO-ja ka mbështetur Ukrainën gjatë gjithë luftës, me shtetet anëtare që dërgojnë armë, por jo trupa luftarake. Kievi ka bërë thirrje vazhdimisht për më shumë armë nga aleatët.
Ukraina e sheh të ardhmen e saj në aleancën e NATO-s dhe shtatorin e kaluar njoftoi për një kërkesë për anëtarësim të shpejtë pasi Kremlini tha se kishte aneksuar përjetësisht katër rajone ukrainase.
Moska e konsideron NATO-n si një bllok ushtarak armiqësor, i prirë për të cenuar atë që e sheh si sferën e saj të ndikimit. Ukraina fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik i udhëhequr nga Rusia në vitin 1991. / rel