Shefi i NATO-s nuk parasheh vendosje të reja të armëve bërthamore në Evropë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se anëtarët evropianë të aleancës nuk kanë gjasa të vendosin armë të reja bërthamore në tokat e tyre.
Komentet e tij vijnë katër ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se ShBA-ja do të tërhiqet nga Traktati i forcave bërthamore me rreze të mesme veprimi duke thënë se ai po shkelet nga Moska.
Stoltenberg ka thënë se NATO-ja është duke i vlerësuar implikimet në siguri të shkeljes së dyshuar ruse.
“Nuk parashikoj që aleatët evropianë të shpërndajnë më shumë armë bërthamore si përgjigje”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për medie.
Traktati i vitit 1987 i ndalon Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë që të posedojnë, prodhojnë ose shpërndajnë raketa balistike me rreze të mesme veprimi.
Me këtë traktat, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara kanë eliminuat rreth 2 700 raketa.
Trumpi ka thënë më 20 tetor se ShBA do të tërhiqet nga traktati.