Shefi i NATO-s tha se do të intervenojë nëse cenohet siguria në Kosovë, ja përgjigja e Vuçiqit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dje ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të folur mbi situatën në veri të Kosovës që u krijua pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa dhe dokumente.
Për këtë bisedë, Stoltenberg dje doli me njoftim ku tregoi se i kishte përsëritur Vuçiqit qëndrimin e NATO-s se do të ndërhyjë në rast të rrezikimit të stabilitetit, derisa i ka thënë se mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Por, me një komunikatë më të zgjeruar ka dalë Presidenca e Serbisë, e cila tregoi se si i është përgjigjur Vuçiq deklaratave të sekretarit të NATO-s.
Vuçiq i ka thënë se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe i është ankuar atij për “aktivitetet e Prishtinës që shkaktojnë frikë dhe trazira shtesë te qytetarët e nacionalitetit serb”.
Po ashtu, Vuçiq ka pretenduar se Serbia “nuk e ka shkelur as Marrëveshjen e Brukselit dhe as Rezolutën 1244 me asnjë veprim të vetëm”.
“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për vazhdimin e komunikimit të drejtpërdrejtë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin dhe presidenti Vuçiq falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg për marrëdhënien e tij korrekte dhe gatishmërinë për të dëgjuar palën serbe”, thuhet më tej në komunikatën e Presidencës serbe.