Shefi i NATO-s: Ukraina ka nevojë për armë, jo për flamuj të bardhë

11 mars 2024 | 19:17

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh kundër komenteve të Papa Françeskut i cili tha se Ukraina duhet të ketë “guximin e flamurit të bardhë” derisa sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën për një fund të luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.

I pyetur në lidhje me këto komente, Stoltenberg i tha Reuters se “nëse duam një zgjidhje të qëndrueshme paqësore të negociuar, mënyra për të arritur atje është të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën”.

“Nuk është koha për të folur për dorëzim nga ukrainasit. Kjo do të ishte një tragjedi për ukrainasit. Do të ishte gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne”, tha Stoltenberg në një intervistë në selinë e NATO-s në Bruksel, pasi u pyet nëse reagimi i tij do të thoshte se tani nuk është koha për të folur për një flamur të bardhë.

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë.

Për deklaratat e tij të bëra gjatë një interviste, Papa Françesku u kritikua edhe nga Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë.

Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Françesku nuk po fliste për “kapitullimin”.

Françesku ka sugjeruar, gjatë një interviste të publikuar pjesërisht më 9 mars, se Ukraina, përballë një disfate të mundshme, duhet ta ketë “guximin” për t’u ulur dhe për të biseduar me Rusinë për paqe, duke thënë se nuk është turp ta valosh “flamurin e bardhë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun – pa ia përmendur emrin – duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.

Zelensky ka ngulur këmbë se nuk do të flasë drejtpërdrejt me Rusinë, nëse kushtet e “formulës” së tij për paqe nuk plotësohen.

Kërkesat e Ukrainës për paqe janë që Rusia t’i tërheqë të gjitha trupat e veta nga Ukraina, t’i kthejë kufijtë e vet nga epoka pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe Rusia të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.

Pas kritikave ndaj papës, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, shpjegoi se, me fjalët e tij për Ukrainën, Françesku pati qëllim të “bëjë thirrje për një armëpushim dhe për kthimin e guximit për bisedime”, dhe se nuk nënkuptoi kapitullim.

Edhe aleatët rajonalë të Ukrainës shprehën zemërim ndaj komenteve të papës.

“Si thoni, sa për baraspeshë, ta nxisim Putinin ta ketë guximin ta tërheqë ushtrinë e tij nga Ukraina? Paqja do të mbizotëronte menjëherë pa pasur nevojë për bisedime”, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaë Sikorski.

Presidenti i Lituanisë, Edgars Rinkevichs, shkroi në rrjetet sociale: “Konkluzioni im për këtë të dielë: Nuk mund të dorëzohesh para të ligës, duhet ta luftosh dhe ta mposhtesh, në mënyrë që e liga ta ngrejë flamurin e bardhë dhe të dorëzohet”.

Alexandra Valkenburg, ambasadore dhe shefe e delegacionit të BE-së në Selinë e Shenjtë, shkroi:

“Rusia… mund t’i japë fund kësaj lufte menjëherë duke e respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. BE-ja e mbështet Ukrainën dhe planin e saj për paqe”.

Jens Stoltenberg gjithashtu u distancua të hënën nga deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron, se aleatët perëndimorë nuk duhet të përjashtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë.

“NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë dhe NATO nuk është palë në konflikt”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg tha se edhe nëse vende individuale të NATO-s dërgojnë trupa në Ukrainë, kjo do të ndikonte në aleancën në tërësi pasi anëtarët e saj janë të detyruar nga një pakt i mbrojtjes kolektive.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që të konsultohemi dhe të kemi një qasje të përbashkët për këto tema të rëndësishme sepse ato kanë rëndësi për të gjithë ne”, shtoi ai./ REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata “22 Nëntori”, në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht në Manastir,…