Shefi i NATO-s vjen sot në Kosovë, i dërgon mesazh Rusisë
Në vazhdën e kërcënimeve dhe pas deklaratës se presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky, se ka prova që Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor, mobilizohet NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit për t’i dërguar Rusisë mesazhin se NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti në Ballkanin Perëndimor.
Të hënën shefi i NATO-s do të nisë tourin treditor në Ballkan. Takimi i parë në agjendë është ai me drejtuesit e lartë politikë dhe ushtarakë vendas dhe ndërkombëtarë të Bosnjë-Hercegovinës. Në të njëjtën ditë, pasditen e së hënës, do të jetë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Njëjtë si në Bosnjë-Hercegovinë, edhe në Kosovë do të takohet me drejtuesit ushtarakë të KFOR-it dhe NATO-s, ku do të përcjellë edhe një mesazh.
Të martën e 21 nëntorit Jens Stoltenbergu do të jetë fillimisht në Serbi, ku e presin në bisedime presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.
Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia më e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.
Në Maqedoninë e Veriu, pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.
I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.
Vizita e Jens Stoltenbergut vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.