Shefi i OSBE-së në Kosovë viziton kryetarin e Gjilanit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin ka biseduar për gjendjen në të cilën ndodhet komuna e Gjilanit.
“Ambasadorin e njoftova me programin tonë qeverisës, i cili përfshinë projekte nga të gjitha fushat, si në: arsim, shëndetësi, ekonomi, kulturë, rini e sport. Temë diskutimi ishte edhe vizioni e disa nga prioritetet tona për komunën, siç janë: ndërtimi i institucioneve të reja dhe demokracisë, siguria e qytetarëve, barazia gjinore, të drejtat e pakicave dhe integrimi i tyre”, ka thënë Hyseni.
Ai ka theksuar se duke falënderuar pjesëmarrësit dhe mbështetjen që i ofruan, me Davenport u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të caktuara, për rritjen e transparencës, komunikimit e pjesëmarrjes publike, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë.