Shefi i Pentagonit: Koreja V. nuk testoi raketë balistike
Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka thënë se një armë e re në Korenë e Veriut, e cila është testuar së voni, nuk ka qenë raketë balistike.
Patrick Shanahan, shef i ngarkuar i Pentagonit, ka deklaruar se forcat amerikane në Korenë e Jugut nuk e kanë ndryshuar gjendjen e gatishmërisë.
“Është bërë një provë. Nuk ka qenë raketë balistike”, ka thënë Shanahan.
Më 17 prill, media shtetërore në Korenë e Veriut raportoi se udhëheqësi i këtij vendi, Kim Jong Un, ka mbikëqyrur testimin e një arme të re taktike me “kokë të fuqishme bërthamore”.
Arma u cilësua si kontribut “me rëndësi të madhe” në arsenalin e Koresë së Veriut.
Prova ka gjasa t`i rrisë tensionet me Shtetet e Bashkuara, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Koreja e Veriut i ka pezulluar testet raketore dhe bërthamore.
Trump është takuar dy herë me Kimin, ndërsa takimi i dytë, i mbajtur në Hanoi në muajin shkurt, ka përfunduar pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur në çarmatosjen e plotë bërthamore të Koresë së Veriut, përpara se t’i lehtësonin sanksionet kundër saj.