Shefi i ri i NATO-s: Trump ka nevojë për aleancën ushtarake në këtë “botë të ashpër”
Kreu i ri i NATO-s, Mark Rutte është shprehur i qetë në lidhje me Donald Trump nëse ky i fundit zgjidhet President i SHBA, duke pasur parasysh deklaratat dhe qëndrimin e tij ndaj aleancës ushtarake.
Duke folur nga Londra pas takimit me Kryeministrin britanik Starmer dhe Presidentin ukrainas Zelensky, Rutte u shpreh se Donald Trump ka nevojë për NATO-n.
Në një intervistë për “The Guardian”, ai këmbënguli se nuk është i shqetësuar për Donald Trump, duke thënë se ky i fundit “dëshiron të mbrojë SHBA-në”.
Rutte argumentoi se kjo kërkon që të jesh pjesë e NATO, sepse “pa anëtarësim ai është i vetëm dhe në një botë të ashpër dhe të pakompromis Trump ka nevojë për aleancën”.
Në këtë mënyrë, shefi i ri i NATO i dha një përgjigje edhe Donald Trump, pasi ky i fundit vazhdimisht ka qenë skeptik ndaj aleancës ushtarake me argumentin se SHBA paguan më shumë se shtetet e tjera anëtare. Madje, gjatë presidencës së tij në vitin 2018, Donald Trump kishte menduar largimin nga aleanca, siç raportojnë mediat amerikane.
Megjithatë, tani që Trump garon sërish për President ka thënë se SHBA do të qëndrojë në NATO për sa kohë që shtetet europiane nuk përfitojnë nga shumat e larta të shpenzimeve të mbrojtjes amerikane.
Sa i përket kontributit që çdo shtet anëtar i NATO jep, edhe Rutte u shpreh se shpenzimet e mbrojtjes në Europë do të duhet të rriten.
Aktualisht vendet anëtare ofrojnë për NATO-n 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Qartësisht nuk është e mjaftueshme, sepse tani mund të shikojmë boshllëqet që kemi, objektivat që duam dhe duhet të bëjmë më shumë”, u shpreh Mark Rutte.